Presidenti Ilir Meta priti sot në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe delegacionin që e shoqëron, me të cilin diskutoi rreth zhvillimeve dhe sfidave nëpër të cilat po kalojnë dy vendet tona, rajoni e më gjerë.
Meta vlerësoi rolin thelbësor të LDK-së në proceset shtetformuese, konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të Kosovës, mbështetur mbi trashëgiminë e vyer të Presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit sa më të efektshëm ndërmjet dy vendeve tona, si dhe garantoi që Shqipëria do të mbështesë fuqimisht Republikën e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimeve euroatlantike.
Gjatë takimit Meta dhe Abdixhiku u dakordësuan se sfidat dhe kërcënimet me të cilat Ballkani Perëndimor mund të përballet në të ardhmen e afërt, kërkojnë përpjekje edhe më të mëdha nga Shqipëria dhe Kosova dhe nga faktori shqiptar në rajon për forcuar bashkëpunimin me partnerët euroatlantikë për të forcuar sigurinë e paqen në rajon.