Bashkia e Tiranës dhe qytetarët janë solidarizuar për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmetet në Korçë dhe që aktualisht po jetojnë në çadër.
Kesaj nisme solidariteti iu bashkua familjarisht edhe Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se deri tani janë bërë 3 kamionë me ndihma, të cilët do të nisen drejt Korçës, ndërsa ka shtuar se përpara Bashkisë është hapur një tendë që do rrijë hapur gjithë ditën, e se çdokush mund të japë ndihmën e tij për të prekurit nga tërmetet në jug-lindje të vendit.
“Ne besojmë në parim një për të gjithë dhe të gjithë për një. Sot ka nevojë për ndihmë Korça, nesër ka nevojë Tirana. Unë dhe Ajola, si prindër të një bebi të vogël kishim merak fëmijët dhe dhurata jonë modeste ishte qumësht, panolina, biberon. Një nga vendimet e Këshillit Bashkiak do të jetë një fond solidariteti për ndërtimin shtëpive. Çdokush mund të vijë pranë Bashkisë së Tiranës, ku kemi ngritur qendrën tonë dhe këtu mund të japë ndihmën çdokush. Ne do përgatisim një fond si Këshill Bashkiak për të ndërtuar shtëpitë e prekura nga tërmetet. S’mund të jemi solidarë vetëm për Ramazan, por çdoherë”, është shprehur Veliaj.
Tenda do të qëndrojë e hapur gjatë ditës dhe secili mund të bëjë një ndalesë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.
![](http://www.gazetadita.al/wp-content/uploads/2019/06/46b12b7d-a412-43b3-846c-6354eed02496-200x300.jpg)
![](http://www.gazetadita.al/wp-content/uploads/2019/06/adef5f8b-ebc6-4fc8-a5ab-9d9ac301bd92-300x200.jpg)