Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se për aq kohë sa ai është president i SHBA-së, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore.
Ai ka thënë se asnjë amerikan nuk është plagosur nga sulmet e Iranit në dy baza ushtarake amerikane.
“Forcat tona amerikane janë të përgatitura për gjithçka. Irani duket se po tërhiqet”, ka deklaruar ai.
“Fakti që në kemi ushtri dhe pajisje të mrekullueshme, nuk nënkupton se na duhet t’i përdorim. Ne nuk duam t’i përdorim ato. Fuqia amerikane, si ushtarake ashtu edhe ajo ekonomike janë parandalueset më të mira”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka thënë se “fushata e terrorit dhe vrasjeve” të Iranit nuk do të tolerohet.
Për këtë arsye, presidenti amerikan ka thënë se do të vendosë sanksione të reja kundër Iranit për të vazhduar fushatën me presion maksimal kundër këtij shteti.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje fuqive botërore që të nënshkrujanë marrëveshje të re bërthamore me Teheranin.
“Neve na duhet të punojmë së bashku për të arritur marrëveshje me Iranin që e bën botën më të sigurt dhe vend më paqësor”, ka deklaruar ai.
Konferenca e presidentit është zhvilluar pasi Irani ka sulmuar dy bazat amerikane, Irbil dhe Al Asad, në Irak në orët e para të mëngjësit të së martës.
Televizioni shtetëror iranian ka thënë ky sulm është hakmarrje ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vrarë komandantin e forcave elite iraniane, Qasem Soleimani një javë më parë.
Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei i ka përshkruar sulmet me raketa si “shuplakë në fytyrë” për SHBA-në dhe ka bërë thirrje për dhënie fund të prezencës amerikane në Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar Soleimanin, “terrorist”, meqë ai udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen.