Muajin e ardhshëm Shqipëria do të nisë diskutimet për kapitullin e parë të anëtarësimit në BE, atë për të drejtat themelore, deklaroi eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi në Budapest gjatë Konferencës Ndërparlamentare për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), sipas europa.eu.
”Shqipëria ka bërë reforma të thella, veçanërisht në drejtësi, ndërkohë që nuk ka kushte të tjera nga vendet anëtare të BE-së”, shtoi ai.
”Sa më shpejt t’i integrojmë plotësisht këto vende, aq më i fortë dhe më i qëndrueshëm do të jetë stabiliteti në kontinentin tonë. Në këto vite kemi marrë vendime të rëndësishme për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke mbajtur me to konferencat e para ndërqeveritare”, tha ai.
”Shpresoj që muajin e ardhshëm të hapim kapitullin e parë të negociatave për çështjet bazë me Shqipërinë dhe ndoshta edhe me Maqedoninë e Veriut, në varësi të miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Ne kemi hartuar dhe zbatuar instrumente si plani i rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh për të përshpejtuar integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Varhelyi.