Zëvendës kryetari i LSI-së, Luan Rama e quajti antikushtetues dhe të shëmtuar urdhrin e prokurorisë për të ndaluar publikimin e përgjimeve.
Luan Rama: “Zbardhja e të vërtetës përmes publikimit të disa përgjimeve që lidhen me atë që është njohur si dosja 339, në fakt është vetëm maja e aisbergut të krimit shtetëror! Krimi elektoral mbulon qarqe të shumta të Shqipërisë. Halli i madh i deputetëve nuk është nxjerrja e sekretit por përmbajtja e dosjeve që mbahen të mbyllura dhe pa u trajtuar ligjërisht. Urdhëri për çensurë i Prokurorisë është një akt tjetër i shëmtuar shtetëror për të cënuar lirinë e shtypit dhe të drejtën e qytetarëve për informim, është një akt tjetër për të sabotuar çeljen e negociatave me Bashkimin Europian!”
Në një prononcim nga selia e LSI-së, Rama nënvizoi se krimi shtetëror luftohet.
“Shqipëria nuk e meriton qeverisjen që ka dhe nën thundrën e krimit shtetëror. E vërteta është apel për t’u ngritur, të gjithë bashkë e më të vendosur kundër krimit shtetëror! E keqja nuk largohet, por luftohet!”